NJE SHIKIM ME I MIRE PER NJE JETE ME TE MIRE

 
 
 
 
 

 

  • Katarakta - Perdja e syrit

     KATARAKTA
    - perdja e syrit-
    dhe mjekimi i saj

    Përgatiti:
    Dr. Edmond Isufaj

    Të nderuar pacientë!

    Nëse tek ju është diagnostikuar katarakta (perdja e syrit), mos u shqetësoni, atëherë kjo gjë nuk është një shkak për të humbur kurajon, problemi juaj ka zgjidhje.  Në sajë të mundësive të sotme kirurgjikale ne mund t’ju rikthejmë shikimin.
    Operacioni në shumicën e rasteve bëhet në mënyrë ambulatore (pra nuk është ka nevojë të qëndroni në spital, por menjëhere pas intervenimit Ju mund të ktheheni në shtëpi). Ndërhyrja kirurgjike për heqjen e kataraktës në ditet e sotme është një ndërhyrje standarde, që kryhet pa dhimbje dhe gati në të gjitha rastet kalon pa komplikacione.
    Kohën për operacion e përcaktoni Ju vetë (në marrëveshje me mjekun tuaj okulist) në varësi të shikimit tuaj. Kur Ju shihni që shikimi juaj është i pamjaftueshëm për të kryer punët e përditshme, si për shembull drejtimi i automjetit, leximi, etj., atëherë për Ju ka ardhur koha e nevojshme e operacionit. Por në disa raste, nëse keni pritur shumë dhe perdja është e tejpjekur dhe ka filluar të enjtet dhe të ngjeshi strukturat rreth saj, atëherë ajo duhet sa më shpejt të operohet.
    Në këtë material ne ju informojme në mënyre të detajuar për perden e syve dhe mundësitë aktuale të mjekimit.

     

    INFORMACIONE TË PËRGJITHSHME PËR PERDEN E SYRIT


    Cfarë saktësisht është katarakta - perdja e syrit?
    Perdja e syrit është humbja e tejdukshmërisë së lentes kristaline (turbullim i thjerrëzës së syrit), duke ulur kështu në mënyrë të vazhdueshme shikimin. Ju vini re që po shikoni si nëpërmjet një perdeje të hollë, e cila trashet gjithnjë e më shumë.



    Lentja syrit ka të njëjtin funksion si lentja e aparatit fotografik. Ajo shërben për thyerjen e rrezeve të dritës, dhe fuksimin e tyre në retinë, në mënyrë që shembëllimi i figurave  të jetë i qartë. Por mjegullimi i lentes bën që të ulet sasia e dritës që kalon nëpërmjet saj. Njërëzit e prekur nga katarakta, në stadin e avancuar mund të dallojnë vetëm dritën.
    Shenjat e kataraktës
    • Ulja e shikimit
    • Zvogëlimi i kontrastit
    • Çrregullimi i njohjes së ngjyrave (ngjyrat shihen me kafe në gri)
    • Në disa raste dhe miopizimi i syrit (njërëzit e prekur nga katarakta, fillojnë të shohin disi më mirë me syze me minus).

       
    Shikimi pa perde dhe me perde

    Supozime të gabuara
    Nuk është e vërtetë që:
    • Katarakta është një sëmundje infektive që mund të kalojë dhe në syrin tjetër
    • Katarkta është rritja e një cipe mbi sy
    • Katarakta zhvillohet nga lodhja e syve ose puna e tepërt
    • Shikimi mund të korrigjohet me ndihmën e një palë syzeve të reja

    Shkaktarët e sëmundjes së perdes së syrit
    Shkaqet që sjellin formimin e perdes së syrit janë të shumta.
    Shkaku më i shpeshtë është mosha dhe lidhet me ndryshimet në metabolizmin e lentes kristaline, prandaj, kur flitet për sëmundjen kataraktës, zakonisht bëhet fjalë për një perde të moshës. Zakonisht preken personat mbi moshën 55-60 vjeç.

    Shkaktarët e tjerë
    Anomalitë e lindura apo të përfituara:
    •katarakta mund të jetë e lindur si pasojë e sëmundjeve të nënës gjatë shtatëzanisë
    • si komplikim i sëmundjes së diabetit (sëmundjes së sheqerit)
    • infeksionet e rënda të brendisë së syrit
    • çrregullimet e metabolizmit
    • traumat e syrit… etj.



    Katarakta e lindur

    Perdja e syrit nuk mund të shërohet me medikamente dhe as me syza. Meqënëse ajo ndryshon cilësitë optike të syrit, në stadin e hershëm, përkohësisht mund të arrihet një përmirësim i pamjes, duke ndryshuar dioptrinë e syzeve. Mirëpo, kjo është një zgjidhje e përkohshme, pasi në stadet e mëvonshme syzet nuk do të ndihmojnë në përmirësimin e pamjes nëse sjellin disi një përmirësim të shikimit nuk eleminojnë mjegullimin e pamjes.
    Pra, intervenimi kirurgjik është e vetmja mundësi e mjekimit që çon në sukses të plotë. Në më shumë së 95% të të gjithë rasteve shikimi përmirësohet në mënyrë të konsiderueshme që në diten e parë pas operacionit.

    NDËRHYRJA KIRURGJIKALE - E VETMJA MUNDËSI E MJEKIMIT QË MUNDËSON SHËRIMIN E PLOTË DHE KTHIMIN E SHKIMIT.


    PËRJASHTIME

    Për të patur një pamje të qartë, duhet që edhe pjesët tjera të syrit të jenë të shëndosha, dhe mos të jenë të prekura nga sëmundje të tjera të syrit. Në formimin e pamjes së qartë, përveç lentes kristaline, marrin pjesë edhe sipërfaqja e syrit apo kornea, trupi qelqor, retina, nervi optik, rrugët optike që vazhdojnë në sistemin nervor dhe vet sistemi nervor qëndror. Prandaj, rezultatet mund të jenë më të kufizuara nëse një pacient është prekur nga ndonjë sëmundje tjetër e syrit, si:

    • Sëmundja e distrofisë së makulës
    • Sëmundja e diabetit
    • Sëmundja e tensionit të rritur të syrit apo glaukomës
    • Sëmundjet tjera të nervit optik, retinës apo sistemit nervor qëndror.

    Këto sëmundje në shumicën e rasteve janë të vështita për tu diagnostikuar para operacionit në rastet e perdes së pjekur dhe shumë herë evidentohen pas operimit të kataraktës. Nëse në rastet e sipërpërmendura rekomandohet një operacion i perdes, Ju duhet të dini mundësitë e kufizuara të rezultatit për shkak të sëmundjes tjetër, dhe për këtë mund të konsultoheni me mjekun tuaj të syrit.

    Çfarë duhet të dini!

    A do kem dhimbje gjatë operacionit dhe pas tij?
    Operacioni kryhet me anastezi lokale (me pika), dhe ju nuk do ndjeni dhimbje, do të ndjeni vetëm prekjen e duarve të kirurgut, instrumetat dhe ujin që do rrjedhi përreth syrit në momente të caktuara gjatë operacionit.

    A operohen të dy sytë në të njëjtën kohë?
    Si rregull, operohet vetëm një sy; në rast të një operacioni pa komplikime të syrit të parë, syri i dytë në rast se është i prekur nga katarakta mund të operohet në një kohe të dytë pas një jave.

    Si është prognoza e një operacioni të tillë?
    Ndërhyrja kirurgjikale është e vetmja mënyrë për të kthyer shikimin në personat e prekur nga katarakta. Në rast se syri nuk është i prekur nga sëmundje të tjera shikimi pas operacionit rikthehet deri në 100%!!!

    A jam tepër i moshuar për operacion?
    Jo! Teknologjia e avancuar e operacionit dhe ndërhyrja kirurgjikale me rreze ultratinguj me anestezi lokale, mundëson që personi të operohet pa marrë parasysh moshën. Në klinikën tonë në çdo kohë është prezent mjeku anestezist-reanimator që ndjek paremetrat fiziologjik të trupit tuaj.

    Sa kohë zgjat operacioni?
    Operacioni zgjat afërsisht 15 deri 30 minuta.

    A ndodh që syri nuk e pranon lenten artificiale?
    Lentja artificiale përbëhet prej materialit inert dhe jo të dëmshëm për organizmin dhe syrin. Prandaj, reaksione të mos pranimit te lentes pothuajse nuk ndodhin.

    Për sa kohë do të jetë lentja në syrin tim dhe a do ta ndjej atë pas operacionit?
    Lentja intraokulare do të rrijë syrin tuaj për gjithë jetën dhe nuk do të ndërrohet pas implantimit. Ju atë nuk do ta ndjeni dhe ajo nuk do të duket në syrin tuaj. Ndryshe nga lentet e kontaktit që vendosin përsipër syrit, lentja artificiale (intraokulare) vendoset brenda në sy e nuk jep ndjeshmërinë e një trupi të huaj.

    Kur do të shërohet plotësisht syri im?
    Syri do të fillojë të shikojë që ditën tjetër dhe çdo ditë shikimi do të vijë duke u përmirësuar. Proçesi i shërimit, është më i rëndësishëm në 3-4 ditët e para. Pas kësaj periudhe, trajtimi vazhdon edhe për 3-4 javë, por Ju mund t’ju ktheheni punëve tuaja të përditshme. Natyrisht, ekzistojnë disa kufizime për punë të rënda, derisa të përfundojë proçesi i shërimit të plotë.

    A do të mbaj syze pas operacionit?

    Përcaktimi i refraksionit pas-operator bëhet nga kirurgu në bashkëbisedim me Ju. Përcaktimi i lentes intraokulare bëhet i tillë që Ju të shikoni pa syze në një distancë dhe të përdorni syze për distancën tjetër, për shembull, nëse bëhet përzgjedhja e tillë që Ju të shikoni pa syze larg atëherë Ju do mbani syze me dioptri 2 deri në 3 dioptri për afër, dhe e kundërta. Ekziston mundësia e implantimit të lenteve multifokale ose akomodative si dhe mënyra e vizionit monokular gjë që përzgjidhet nga kirurgu dhe Ju.

    Operacioni i perdes së syrit
    Proçesi i fakoemulsifikimit kryhet me anën e një sonde milimetrike e cila punon në bazë të ultratingullit. Kjo proçedurë mundëson një prerje më të vogël operacioni, prej 1.5 – 3 milimetra, se sa mënyrat e mëparshme të operimit, duke arritur kështu një kohë më të shpejtë të shërimit.


    Etapat e fakoemulsifikimit të kataraktës

    • Në fillim bëhet anastezia e pjesshme me pika.
    • Bëhet prerja e vogël e kornesë, prej 1.5 – 3 milimetra.
    • Hapet kapsula e përparme e lentes kristaline.
    • Pastaj bërthama e perdes copëtohet, imtësohet me ultratinguj dhe thithet me anën e sondës milimetrike.

     
    Copëzimi i bërthamës së kataraktës dhe pastrimi i kapsulës

    • Pasi pastrohet kapsula e lentes nepërmjet të njëjtes prerje të vogël 1.5–3 mm implantohet lentja intraokulare e butë e palosur nëpërmjet një inxhektori special. Kjo ka një diametër prej 11–13 mm dhe zakonisht është e përbërë nga një material i butë inert (akryl apo silikon). Lentja është elastike dhe pas implantimit hapet në brendësinë e syrit, ku ajo fiksohet me ndihmën e disa elementeve të vegjël fiksues.

     


    Lentja intraokulare

      
    Implantimi I lentes intraokulare

    • Prerja në shumicën e rasteve mbyllet vetë dhe nuk ka nevojë për qepje. Sa më e vogël të jetë prerja, aq më e qëndrueshme është mbyllja e plagës.


    Syri menjëherë pas operacionit

    Një ndërhyrje kirurgjikale vetëm 15-30 minuta, për një shikim më të mirë dhe një jetë më të rehatshme.

     

    Operacioni i operimit te nje katarakte te veshtire (kirurg Edmond Isufaj)

     

    Katarakta dytësore (sekondare) e syrit



    Turbullimi i kapsulës së pasme


    Pas operacionit për heqjen e kataraktës mbetet kapsula ku fiksohet lentja artificial. Në disa raste pas operacionit, sidomos në moshat e reja, kapsula humbet tejdukshpërinë e saj e mjegullohet. Kjo quhet katarakt dytësore. Shkaku kryesor i mjegullimit është rritja e qelizave të epitelit të mbetur në kapsulën e lentes.
    Mjekimi i perdes dytësore bëhet:
    • Në mënyrë ambulantore
    • Pa hapjen e syrit
    • Nuk ka nevojë të mbyllet syri pas intervenimit
    • Me anën e lazerit special – YAG-laser, që duke shkatërruar një pjesë të vogël të kapsulës së pasme hap një dritare në të.

     

    A janë të mundshme komplikacionet dhe çrregullimet gjatë shërimit?
    Si në çdo ndërhyrje tjetër operative ekziston mundësia e komplikacioneve gjatë operacionit dhe në fazat e mëvonshme të shërimit, por ato janë fare të pakta. Shumica e operacioneve kalojnë krejt pa komplikacione, pasi intervenimi kryhet me metodë të avancuar me ultratinguj në një sistem të mbyllur, d.m.th. pa prerje të madhe dhe qepje të syrit. Në raste të rralla mund të pasojnë:
    • Një rritje e tensionit të brendshëm të syrit (Glaukoma)
    • Mjegullimet e kornesë
    • Ndjeshmëria e rritur ndaj dritës
    • Edema e makulës
    • Rënia e bërthamës së thjerrëzës në vitreus
    • Hemorragji
    • Infeksione
    • Shkolitje të retinës

    Dita e operacionit

    Ju mund të përgatiteni kështu:
    • Ju lutemi të bisedoni me mjekun tuaj të syve për të gjitha paqartësitë. Nëse jeni të pasigurtë mbani shënime.
    • Në ditën e operimit, normalisht, nuk ka nevojë të hiqni dorë nga ushqimi. Nëse jeni diabetik, në ditën e operacionit nuk mund të merrni ushqim si zakonisht, atëherë bisedoni me mjekun e familjes për pirjen e barnave që ulin sheqerin në gjak.
    • Merrni mendikamentet tuaja si zakonisht (insulinën, ilaçet e zemrës, etj.). Nëse ju pini ilaçe për hollimin e gjakut, atëherë konsultohuni me mjekun e familjes, me mjekun e syve, ose me kirurgun e syve për mënyrën e mëtejshme të veprimeve, pasi mund të ketë nevojë për ndërprerjen e marrjes së këtyre ilaçeve disa ditë para operacionit.
    • Mbani në kohën e operacionit veshje të rehatshme (mundësisht me mëngë të shkurta)
    • Ju lutemi, mos mbani bizhuteri
    • Përpara operacionit bëni një dush apo një banjo të plotë dhe lani edhe flokët tuaja
    • Mos mbani karfica flokësh, por mund të përdorni rrjetë flokësh
    • Në ditën e operacionit mos bëni makijazh të fytyrës.

    Si zhvillohet dita e operacionit?
    Para intervenimit kirurgjik në syrin tuaj do të pikohen pika për zgjerimin e bebes së syrit. Në sallën e operacionit ju do të merrni një anestezi lokale dhe kokërdhoku i syrit do të jetë pa dhimbje.
    Parametrat vitalë do të kontrollohen gjatë gjithë operacionit në mënyrë të vazhdueshme nga mjeku anestezit-reanimator.
    Ndërhyrja zgjat afërsisht 15 deri 30 minuta. Pas kësaj syri i operuar, si rregull, lyhet me pomadë dhe vendoset një kapak mbrojtës i syrit.
    Në orët e para pas operacionit, personi shoqërues është i mirëpritur.

    Çfarë duhet të kini parasysh pas operacionit!

    Për të përjashtuar të gjitha rreziqet që mund të ndikojnë në shërimin e plagës, duhet të kini parasysh, udhëzimet që vijojnë:
    Edhe në një prerje të vogël vetëmbyllëse, syri në javët e para, ende nuk ka forcën rezistuese të tij normale. Për këtë shkak, nuk do të hiqni fashimin dhe nuk do të fërkoni syrin.
    Në përgjithësi, ju duhet të ktheheni tek okulisti të nesërmen pas ndërhyrjes pët të verifikuar syrin tuaj. Ai do të heqi fashon në këtë moment. Është e mundur që pamja juaj të jetë e turbullt. Kjo mund të zgjasë disa ditë gjatë javës.
    Pas operacionit normalisht nuk ka dhimbje. Nëse keni dhimbje, merrni një ilaç të lehtë kundër dhimbjes. Por, në çdo rast ju lutemi informoni mjekun tuaj, sidomos në rast të dhimbjeve të forta.

    Njëkohësisht ju merrni udhëzime për mjekimin e syrit tuaj në ditët dhe javët në vijim.

    Udhëzime për shërim të shpejtë

    • Shkoni në vizitat pas-operatore për tu konsultuar me okulistin tuaj.
    • Merrni medikamente dhe pikat e syrit sipas udhëzimeve.
    • MOS ngrini pesha të rënda (me shumë se 5 - 10 kg) në ditët e para.
    • MOS e drejtoni vetë makinën gjatë proçesit të shërimit.
    • Evitoni për të paktën tre muaj fërkimet dhe shtypjet në sy.
    • Ju mund të bëni dush, banjo dhe të rruheni. Por kini kujdes që as sapuni dhe as shampo të mos bien në sy.
    • Shmagni larjen në vaskë, sauna  dy - tre javët e para të operacionit.
    • MOS lexoni më shumë sa është e nevojshme.
    • Ju mund të shihni televizion, por pa e lodhur edhe këtu syrin.
    • Puna me kompjuter është e mundshme, por edhe kjo të bëhet në mënyrë të kufizuar.
    • Llojet e sportit, si noti, zhytja, ecja me bicikletë duhet të evitohet në fazën e shërimi.
    • Të MOS përkuleni, më mirë përuluni në gjunjë për të ngritur sende dhe për të lidhur këpucët tuaja.
    • Në rast çrregullimesh të shërimit (skuqja e re e syrit të operuar, dhimbje ose e një keqësimi të shikimit) informoni, ju lutemi, menjëherë mjekun tuaj.
    • Ju duhet të shmangni makiazhin ndërkohë që plaga nuk është shëruar, që merr afërsisht dy javë.
    • Mbani syzet mbrojtëse pasi sytë tuaj mund të jenë të ndjeshëm ndaj dritës për disa kohë si dhe për tu mbrojtur nga pluhurat.

    Të nderuar pacientë!

    Ne shpresojmë që me këtë material ju kemi dhënë një pasqyrë të vogël për sëmundjen e perdes së syrit dhe mjekimit të saj. Nëse keni pyetje të tjera, ne do ju përgjigjemi me dëshirë në një bisedë konsultative.
    Do të ishte mirë në rast se ne mund t’ju hiqnim pak frikën për operacionin e nevojshëm. Mënyra operative moderne, tërësia e instrumenteve bashkëkohore me një teknikë të lartë dhe kontrollet mikroskopike, e bëjnë shumë të sigurtë operacionin e kataraktës dhe çojnë në një përmirësim të shpejtë të aftësisë së të parit. Prandaj rreziku për ndonjë komplikacion të rëndë është jashtë mase i ulët.
    Dhe si shumë pacientë të tjerë, edhe ju do të konstatoni se sa pozitivisht ndikon kjo ndërhyrje në jetën tuaj të përditshme pra, mund të merreni përsëri me gjëra për të cilat ju duhet të hiqnit dorë për një kohë të gjatë.

     

    Pergatiti tekstin Dr. Edmond Isufaj. 

     
 
 
 
      Per pacientin